Tuesday, May 19, 2015

Poezia e pesë kontinenteve e Anita Hoxhës


Tirane, 19 Maj/ATSH-Flora Nikolla/.- Që në fëmijërinë e saj të hershme   Anita Hoxha përjetonte me gëzim perëndimet mahnitëse të diellit buzëmbrëmje, qartësinë e malit të Dajtit në Tiranë në ditët e kthjellta të dimrit dhe entusiazmin e pa harruar të festave vjetore. Me nostalgji kujton sot ngrohtësinë e familjes së saj, një familje që e quan të bekuar prej fatit ku mbretëronte dashuria e pa fund . Kujton sot kur teksa priste të ikte mamaja në punë, i ulte  motrat në divanë e bëhej modele me veshjet e mamasë. Ëndërronte të bëhej piktore por shpejt u bind se mes vizatimit dhe saj nuk lindi ai filing i bukur si premtim për të ardhmen. Por shpejt ëndrra e saj do të merrte jetë e do ta shoqëronte deri më sot:  ishte dashuria për poezinë. Poezia ishte mrekullia që iluminoi kujtimet e Anitës.  Poezia e saj e parë mes viteve 11 e 12 vjeç fitoi çmimin e parë në konkursin e poezisë mes shkollave të kryeqytetit me titull ” Për ty nëna ime “.  Në vitet që do të pasonin  poezia do të  bëhëj mikja e saj më e mirë. Kjo miqësi nuk do ta  zhgënjente asnjëherë Anitën. Ajo thotë me gëzim se janë 58 shtete nga të gjitha kontinentet dhe ku për çdo shtet janë me dhjetra qytete nga ku artëdashës të poezisë lexojnë rregullisht poezitë e  saj. Shpesh mrekullohet ! Sapo i poston  poezitë në blog, shikon të hyjnë vizitorë edhe deri në pesë shtete të ndryshme në botë në të njëjtën minutë. E gjitha e gëzon,i shton ndjesinë dhe ndërgjegjësimin se poezia sot është mënyra më e mirë për të komunikuar idetë  me njerëz që nuk i njohim personalisht. http://anitahoxha.blogspot.com/  Sepse, poezia sot për Anita Hoxhën është dëshmitare e ditëve, orëve, stinëve dhe netëve të saj . Poezia është mrekullia që i krijon mundësinë të ndodhet kudo dhe në çdo moment, mundësia për të thënë një fjalë të vetme, një fjalë e njohur dhe e përbashkët për të gjithë por që askush nuk mundet ta thotë më bukur dhe më fort se poezia. Poezia është shtëpia e saj e dytë diku thellë një pylli të bukur ku ajo  shpesh e ndjen veten fëmijë, herë prind e herë mik! Shpesh mendon  si do të ishte jeta e saj  pa poezinë dhe përgjigjen e gjen gjithmonë tek poezia.
anita1F.N:  Cila ka qënë fëmijëria juaj dhe çfarë mund të kujtoni ju në këtë intervistë?
AH: Ka një lidhje të natyrshme e ndoshta vendimtare për mrekullinë e ditëve të sotme fëmijëria ime. E lindur në Tiranë do të përjetoja me shumë gëzim perëndimet mahnitëse të diellit buzëmbrëmje, qartësinë e malit të Dajtit në ditët e kthjellta të dimrit dhe entusiazmin e pa harruar të festave vjetore. Me nostalgji kujtoj ngrohtësinë e familjes sime, një familje bekuar prej fatit ku mbretëronte dashuria e pa fund ndërvllazërore dhe shembull vërtet i rrallë i dashurisë dhe respektit mes prindërve të mirë që na donin dhe na duan çdo ditë e më shumë. Kujtoj me mall pushimet verore te gjyshërit e mi të mrekullueshëm që më mungojnë shumë. Si të gjithë fëmijët edhe unë pas shkollës dhe pregatitjes së mësimeve për të nesërmen harrohesha e lumtur mes lodrave që i doja aq shumë si dhe recitimeve të vjershave që i mësoja çdo ditë në revistën e bukur ” Fatosi ” e më vonë në atë ” Pionieri “. Recitoja çdo ditë e ndoshta ato orë ku ndjeja një lumturi pa fund sikur paralajmëronin shënimin e fatit të gjithë jetës sime dedikuar poezisë. Një motiv tjetër që mbushte ditët e mia me gëzim ishte dhe prezenca ime kostante në stadiumin Partizani ku stërvitesha çdo ditë në disiplinën e atletikës, sport të cilin e ushtroj edhe sot çdo mëngjes. Atletika, leximi i vjershave dhe recitimet ishin motivet më të bukura të fëmijërisë sime.
F.N:  Cilat ishin ëndrrat e tuaja në atë kohë?
AH: Nëse do të thoja se endrrat e fëmijërisë një ditë bëhen realitet në vokacionin më të qartë që zoti i dhuron çdo njeriu në jetë, ky është rasti im. Ëndrrat e mia, ëndrrat e një fëmije me shpirt të gëzuar vraponin si të ishin në garë se cila do të ishtë më e bukur! Shpesh natën ëndërroja të isha atletja më e mirë në botë e ditën doja të ishja modelja më e bukur e botës. Kujtoj që prisja të ikte mamaja në punë, i ulja motrat e mia në divan e bëhesha modele me veshjet e mamasë duke menduar se veshjet e saj ishin më të bukura se të miat. Herë provoja të këndoja por stonoja gjithandej dhe kjo më mërziste shumë. Shpesh ëndërroja të bëhesha piktore dhe kjo dëshirë më mundësonte ti përjetoja të gjitha stinët me shumë gëzime e përfytyrime surreale. Kjo dëshirë provoj të merrte jetë kur një ditë në shkollën tonë erdhi piktori Ilia Xhokaxhi i cili kërkontë portretin e një vajze për veprën e tij ” Tekstilistja ” ku më zgjodhi mua si modele. E nxitur nga kjo eksperiencë e bukur provova disa herë të vizatoja por shpejt u binda se mes vizatimit e meje nuk lindi ai filing i bukur si premtim për të ardhmen. Por shpejt ëndrra ime që do të merrte jetë e do të më shoqëronte deri në ditët tona ishte dashuria për poezinë. Poezia ishte mrekullia që iluminoi kujtimet e mia më të bukura. Kujtoj poezinë time të parë mes viteve 11 e 12 vjeç e cila fitoi çmimin e parë në konkursin e poezisë mes shkollave të kryeqytetit me titull ” Për ty nëna ime ” Në vitet që do të vijonin poezia u bë mikja ime më e mire.
 anit hpxha3F.N:  Si titullohej e cila ishte përmbajtja e poezisë tuaj të parë? E mbani mënd?
AH: Po ! Kujtoj se poezia e parë të cilën ja dedikova mamasë time të shtrenjtë me titull ” Për ty nëna ime ” gjeti te unë ngrohtësinë dhe bukurinë e përjetimit të një dashurie hyjnore. Ndonse mamaja ime ishte shumë e re, në atë poezi më tepër ndihej dashuria për gjysherit e mi që më mungojnë aq shumë. Dashuria për mamanë më drejtoi natyrshëm të zgjedhja e fjalëve më të bukura të cilat ndjeva të thuheshin në mënyrë sa më poetike. ” Nëna ime sa shumë të dua Ti si bletë e vogël përmbi lule Ti gjithë ditën rri me mua Dhe ditët e mia janë të tuat ” Ajo poezi u prezantua në konkursin ” Krijuesit e rinj ” mes shkollave 8 vjeçare ku u nderua me çmim të parë. Pas këtij momenti të pa harruar do të regjistrohej në jetën time hartimi në provimet e klasës së tetë të cilin e shkruajta në vargje në katër faqe dhe mori vlerësimin maksimal me dhjetën e bukur të asaj kohe.
F.N:   Cilët janë dhe vijojnë të jenë poetët tuaj të preferuar?
AH: Bota e mrekullueshme e letrave është për mua një univers bukurie, energjie pozitive dhe udhëtimesh imagjinare ku e shkuara është një natë pranvere plot yje dhe e sotmja një ditë e kaltër, tejet e kaltër dimri me një diell të ftohte legjendash. Në një fuzion të shpirtrave të bukur të poetëve të të gjitha kohërave dhe të gjitha kombeve në rininë time te unë ndjeva të lindnin ndjenja miqësie e aprovimi me poetët tanë më të mirë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Lasgush Poradeci e në veçanti Migjeni. Ndërkohë si në dy botë paralele të preferuarit e mi ishin Pushkin, Esenin, Majakovski, Gëte, Hajne, Tagora, Prever e Eluar. Shpesh ndjej që me çdo njërin prej tyre herë më lidhin temat, herë mënyra leksikore e herë problemet e metrikës së poezisë. Ndërkohë ndjej një kënaqësi kur lexoj poezitë e poetëve të tjerë bashkëkohorë. Krijohet një lloj përfytyrimi thuajse unik për jetën e duket sikur jam së bashku me ta në një udhëtim drejt një botë më të mirë.
anita hoxha5 F.N:  A mund të jetojë një poet me poezinë e tij ?
AH:  Eh! Kjo është pyetja më interesante! Po, vërtet, unë jam akoma me emocionet e librit tim të parë dhe kjo ndoshta nuk më ka lënë kohë të mendoj për këtë. Natyrisht kënaqësia që më jep fakti kur mendoj se libri im sot dhe nesër do të jetë pjesë e bibliotekave në shtëpitë e miqve të mi të mirë kudo që ata ndodhen, është një moment lumturie.
F.N : Çfarë është për ju sot poezia?
AH: Poezia sot për mua është dëshmitare e ditëve, orëve, stinëve dhe netëve të mia. Poezia është mrekullia që më krijon mundësinë të ndodhem kudo e në çdo moment, mundësia për të thënë një fjalë, një fjalë të vetme, një fjalë e njohur dhe e përbashkët për të gjithë por që askush nuk mundet ta thojë më bukur dhe më fort se poezia. Kam menduar gjithmonë se jeta ime ka qenë një jetë dedikuar familjes, rritjes së fëmijëve dhe përballimit të vështirësive të jetës, por kur kujtoj poezitë e mia më të bukura e shikoj vetën të kudogjendur, në të gjitha momentet e lumtura apo kritike të shoqërise dhe atdheut tim. Dhe kjo është poezia! Kujtoj dëshirën e bukur të një mikes sime që për ditëlindjen e nënës së saj kishte zgjedhur t’i dhuronte një poezi shkruar nga unë për atë ditë. Kujtoj dëshirën e një edukatore që më shprehte dëshirën që unë të shkruaja gjashtëmbëdhjet poezi dedikuar çdo njërit prej fëmijëve të kopështit. Kujtoj një ditë një letër shkruar nga dora e një prindi, një letër tejet e dhimbshme që më ftonte të shkruja një poezi për djalin e tij që kishte ndërruar jetë në moshë të re! Edhe kjo është poezia! Poezia është shtëpia ime e dytë diku thellë një pylli të bukur ku unë shpesh e ndjej veten fëmijë, herë prind e herë mik! Shpesh mendoj se si do të ishte jeta imë pa poezinë dhe përgjigjen e gjej gjithmonë te poezia.
anita hoxha4F.N:  Kur dhe pse shkruani poezi ?
AH: Përgjigjen e kësaj pyetje e gjej në kujtimin më të bukur, ditën kur shkruajta poezinë time të parë. Atëherë isha vetëm dymbëdhjet vjeçe dhe poezinë ja dedikova mamasë time. Poezi, sepse ndoshta u ndjeva më afër mundësisë për ti folur mamasë me një gjhuhë që normalisht nuk do të mundja. Poezia për mua është një rizgjim i përditshëm i kujtimeve të harruara, është zëri i perëndive dhe i natyrës, janë ngjyrat dhe orët magjike të stinëve. Kur duart e mia prekin tastierën e kompjuterit ndjej të krijoj muzikë për poezitë e mia, ndjej të dashurohem, të udhëtoj e të rikthehem në vende që kurrë nuk kam qënë, ndjej të qaj, të ndahem dhe të vrapoj përsëri. Unë shkruaj vetëm natën nën shoqërinë e yjeve apo zhurmës së bukur të shiut që s’pushonte dëri në mëngjes.Shkruaj sepse besoj në të vërtetën dhe sa herë që poezia është e vërtet mësoj diçka të re që shpesh ndodh të nesërmen. Ndërkohë ditët e mia fillojnë me kafen e mëngjesit në një udhëtim surreal me ” E dashura imë Sputnik ” roman i të mrekullueshmit Haruki Murakami. Murakami, një legjendë që do të tregohet në të gjitha kohërat!
 F.N:  Cili është mendimi për poezinë shqipe sot ? Cila është arsyeja që lexuesi është larguar sot nga poezia?
anita12AH: Sot poezia duket se përjeton një moment të lumtur mes letrave shqiptare. Shkruajne aq shumë poetë sa të krijohet idea së Shqipëria është vendi i poezisë. Ka mes tyrë që shkruajnë si të zgjedhur prej zotit për talentin që u ka dhuruar dhe të tjerë që shkruajnë të drejtuar nga dashuria për poezinë. Lexuesit nuk janë larguar nga poezia por ndoshta institucionet përkatëse do të duhej të bënin më shumë për poezinë. Shqipëria ndonesë një vend i vogël ka një traditë të bukur poezie. Poet e shkrimtarë si Ismail Kadare është një shembull vërtetësie për kombin tonë. Unë shpesh i postoj poezitë në orët e vona të natës pas një lodhje të gjatë që më kthehet në gëzim kur shikoj që më mbërrijnë menjëherë komente e mesazhe urimi.
F.N:  Blogu juaj lexohet në 58 shtete të botës ?
AH: Po dhe tani mund t’ju them me shumë gëzim se janë 58 shtete nga të gjitha kontinentet dhe ku për çdo shtet janë me dhjetra qytete nga ku artdashës të poezisë lexojnë rregullisht poezitë e mia. Shpesh mrekullohem! Sapo i postoi poezitë në blog shikoj të hyjnë vizitorë edhe deri në pesë shtete të ndryshme në botë në të njëjtën minutë. Kjo më gëzon, më shton ndjesinë dhe ndërgjegjësimin se poezia sot është mënyra më e mirë për të komunikuar idetë tona edhe me njerëz të mrekullueshëm që nuk i njohim personalisht. http://anitahoxha.blogspot.com/
hoxha5F.N:  Në Janar 2015 ju botuat librin tuaj të parë më poezi ” Zgjimi i një ëndrre ” … Ndjesia dhe komenti juaj për këtë ngjarje? Po historia e botimit të këtij libri … ?
AH: Ishte një ditë e ftohtë Janari me një diell që dukej akoma i pa vendosur se çdo të bënte, herë dilte e herë harrohej mbas reve. Shikoja qiellin e ndjeja një lloj gëzimi të pa përjetuar kurrë më parë në jetën time e ndërkohë dëgjoj që mbërrin një mesazh në telefon që më njoftonte daljen e librit. Gëzimi për marrjen e librit më dha ndjesinë se një pjesë e jetës simë ishte harruar në të e unë po shkoja ta merrja. Mes 800 poezive për librin e parë zgjodha 60 poezitë më të realizuara të cilat ashtu së bashku ishin pjesa më e bukur e jetës sime. Një moment për të mos u harruar ishte zgjedhja e titullit të librit. Ndjeva menjëherë dëshirën që titulli duhej të ishte një emblemë për jetën time, një vazhdim e komunikim i natyrshëm me ecjen drejt së vërtetës si e gjithë jeta ime. ” Zgjimi i një ëndrre ” se ajo ditë kur fillova të rishkruaj poezi ishte vërtet si një shkrepëtimë në qiellin e qetë të jetës sime.Vetëm arritja e lajmit te lexuesit e mi do të bënte që unë të merrja me qindra mesazhe urimi. Falë energjisë së lexuesve e miqve të mi të mrekullueshëm ajo ditë do të ngelet e pa harruar në jetën time dhe sikur të mos mjaftontë në ditët e Panairit të Librit 2015 që u zhvillua këto ditë, libri im ” Zgjimi i një ëndrre ” ishte libri më i kërkuar.
anita2F.N:   Keni menduar ndonjëherë që të kaloni nga poezia në prozë ?
AH: Poezia është ide, është tingull, është dashuri. Poezia është zëri i perëndive brenda zemrës simë. Poezia është misteri i mijëra përgjigjeve për pyetje që kurrë nuk kanë ekzistuar. Shpirtra të bukur si Gëte, Hajne, Esenin e Pushkin i dedikuan jetën poezisë. Kur mendoj se jam e zgjedhur nga poezia e ndjej veten me shumë fat. Unë shkruaj shpesh prozë poetike dhe më pëlqen. Proza poetike më shplodh, më bën të përjetoj kujtime të fëmijërisë, të ndjej dallgën që shuhet në këmbët e mia deteve të largët. Por poezia është një zjarr i bukur brenda meje, më bën të jem gjithmonë në kërkim të së vërtetës, përgjigjen e pyetjes shekullorë – kush jam unë?
F.N:  Pse ekziston opinioni që poetët janë njerëz të vështirë, ose më mirë jo të zakonshëm ?
AH: Poezia ka një gjuhë dhe lidhje të natyrshme me të vërtetën. Ajo injekton në mënyrën më të pa shpjegueshme mbi njeriun të vërtetën për fatin e tij, për të sotmen dhe të nesërmen. Por në kohët tona, sidomos aktualisht në një shoqëri si e jona ku sistematikisht po harrohën vlerat themelore të bashkëjetesës kjo mund të krijojë idenë se poetët janë njerëz të vështirë apo jo të zakonshëm. E vërteta në shekuj ka krijuar atë aksion forcë që shkon kundër interesave të njerëzve që komandojnë apo të vetë shtetit. Por për fate që ajo pjesë akoma e shëndoshë e shoqërisë shqiptare është e projektuar drejt një të ardhme më të mirë. Unë këtë e ndjej në mesazhet dhë komentet e shumta, të ngrohta e të sinqerta, në çdo ditë të re për poezitë e mia.
anita11F.N:  Po më shumë çfarë shijon?
AH: Me kohë kam ndjerë të jem rrëmbyer nga ëndrrat, gjysëmhijet që krijon dielli projektuar nga dritaret dhe shoqëria e ëmbël e fjalëve të pa gjetura të poezisë. Kjo më ndodh në të gjitha ditët por stina e vjeshtës për mua është ajo që më bën të ndihem e plotë e përhumbur mes qetësisë duke dëgjuar në sfond Leonard Kohen që vjen ëmbël nga dhoma tjetër. Ditët shpesh fillojnë me një vrap në natyrën, një rit tashmë që shkon tej dhjetë viteve të fundit. Vrapi më krijon një raport mistik me titujt e poezive. Dhe momentet më të bukura janë në atë hark kohor në shoqërinë e kafes së mbasdites duke lexuar e rilexuar poezinë që jam duke punuar.
hoxha7F.N:  Cilat janë planet tuaja më të afërta?
AH: Pas botimit të librit tim të parë ” Zgjimi i një ëndrrë ” në Janar 2015 në muajn Prill të këtij viti arriti edhe suksesi im i parë në nivel internacional duke qenë pjesë e Antologjisë Poetike ” International Golden Pen ” me poezinë ” For your mother ” publikuar nga Milda Publishing në USA e zgjedhur mes poetëve më të mirë amerikanë. Kjo ngjarje e bukur më dha një kënaqësi të veçantë dhe do të mbetet e pa harruar në jetën time. Poezia ime në ditët që vijuan mori një ngjyrim akoma të bukur dhe do të zgjonin te unë dëshirën për tju afruar edhe më shumë lexuesve të mi me një vëllim të dytë poetik. Ditët në vijim do të jenë plot emocione dhe një punë intensive për përzgjedhjen dhe organizimin e të gjitha momenteve që lidhen me botimin e librit. Jam pak në mendime se përzgjedhja mes poezivë më të reja është shumë e vështirë pasi ato janë të gjitha copëza kujtimesh, nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Gjithashtu edhe zgjedhja e shtëpisë botuese si edhe titulli i librit po më krijojnë kënaqësi të dyfishtë. Pas daljes së librit të dytë kam në program një udhëtim në shërbim të një projekti të ri për poezinë. Për këtë jam duke bërë pregatitjet e duhura.
F.N:  Kur do të ndalesh së shkruari poezi ?
AH: Ndoshta kurr ndonjë herë kjo sdo të mund të ndodh. Poezia nuk është një zgjedhje stinësh a zgjedhje e një mënyrë apo tjetër në artin e sotem. Të jesh e zgjedhur nga poezia do të thotë të kesh në zemër zërin e përëndive, të jetosh me frymën e zotit. Të shkruash për jetën e të mbash fjalën të gjallë deri në përjetësi në aktin e krijimit është një mrekulli. Të mendoj këtë është njësoj si të mendoj që pjesën tjetër të jetës ta jetoj larg emocioneve të forta, larg kujtimeve.
anita13F.N:  Si do të ishtë bota pa poëzi dhë pa letërsi ?
AH: Një botë pa letërsinë, pa poezinë dhe pa poetë do të ishte një fushë e gjerë e pa fund me grurë që pret largimin e reve të mëdhaja tymi pas një bombardimi, një botë shënuar prej fatit e pa shpresë, gri dhe e priviuar nga çdo shenjë jetë për të nesërmen, pa këngë, pa dashuri. Një botë pa poezinë sot është lehtë e perceptueshme me një botë me mungesë të vlerave dhe gëzimit për të nesërmen. Një botë pa kujtime, pa kujtime që na bejnë të reflektojmë me dritën e duhur për të sotmen dhe të ardhmen. Një botë që çdo gjë do të ishte por jo e jona. Ne kujtojmë dashurinë e parë, dimë emër e mbiemër të atij që duam, por pas puthjes së parë atë e harrojmë pothuajse dhe thirremi me fjalët – zemra imë, i dashur, flutura ime etj. Fjalë ku shpesh gjen fillesën dhe vetë poezia. Edhe në programet e të gjitha shkollave studjohet historia e letërsisë dhe jo e muzikës, pikturës apo kinematografisë. Kjo më shumë se sa një problem pedagogjik është një e vërtet që letërsia dhe poezia në shekuj kanë mundur të zënë një vend si një domosdoshmëri në jetën e popujve

No comments:

Post a Comment