Tuesday, July 4, 2017

Argjënda Hënë


E dashur nënë të shkruaj nga larg
Të kujtova shpirti më dhëmbi vërtet
Pranvera ka ardhur këtu në timin varg
Ti muza ime e mban gjallë i jep jetë
E dashur nënë këtu stinët janë ndryshe
Dielli del rrallë dhe dimri zgjat shumë
Ditëve nuk shoh asnjë dallëndyshe
Endrrave ti shfaqesh netëve në gjumë
Sot u gëzova por dhe u trishtova pak
Një zog i vogël këndonte për cudi
Cicërimën e tij se kuptova aspak
Kujtova pellumbat ju flisnim unë e ti
Qershiza lulëzonte në kopshtin tonë
Pemët fustanë të blertë vishnin si piktur
Manushaqja priste puthjen si gjithmonë
Të hapte petalet e ti jepte kopshtit nur
E dashur nënë foton time ke në duar e di
Ndonjëherë mërzitesh dhe më qorton
Si muze dhomën kam kthyer o ime bij
Duket se cdo natë brënda saj ti këndon
Eh nënë ishe thinjur pak u trishtova
Flokëve të bardhë veten ndjeva në faj
Trikos me shtiza punuar nga ti vrapova
Mbështjellë rreth krahëve e fillova të qaj
Sa larg jemi o nënë mallkuar ky kurbet
S`di se kur do kthehem s`di se kur do vi
Nën degët e shelgut o e bekuar më pret
Hënës i flet gjatë e hijes time përkarshi
Më merr malli për gjuhën tonë të bukur
Për erën e dheut mbas shiut sa ka rënë
Nënë muza ime ku vargu qesh i lumtur
Netëve të mia ti më e argjenda hënë


No comments:

Post a Comment